Duke marrë shkas nga publikimi i lajmit ekskluziv në Report Tv në lidhje me propozimin e KLGJ për reduktimin e numrit të gjykatave në shkallë vendi dhe krijimin e një gjykate të vetme apeli civil dhe penal, me seli në Tiranë, në emër të të gjithë avokatëve që janë anëtarë të dhomës së avokatisë Korcë, avokat Arben Lena ka dalë në një deklaratë për mediat në kundërshti të këtij projekti që cënon një nga parimet bazë të zhvillimit të procesit të rregullt ligjor siç është gjykimi brënda një afati kohor të arsyeshëm,i cili do të vështirësojë aksesin pranë sistemit gjyqësor të banorëve të këtyre zonave.
Sipas avokatit Lena, ky projekt me një gjykatë apeli është një projekt i cili ka qenë funksional deri në vitin 1999 dhe ka qenë një praktikë që nuk funksiononte pasi aksesi i qytetarëve në drejtësi duhet të jetë efektiv ndërkohë sipas avokatit do të krijohet një pamundësi për të ndjekur proceset gjyqësore.
Të gjithë anëtarët e dhomës së avokatisë Korçë, kanë firmosur një notë proteste të cilën ja kanë drejtuar KLGJ-së, Ministrisë se Drejtësisë, Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Ministrave.
Sipas Lenës, kërkohet që gjykata e apelit në Korçë të mos lëvizë, pasi është i pamundur funksionimi normal i drejtësisë në këtë prefekturë.
















