Rinis procesi mësimor edhe në Qarkun e Lezhës, fëmijëve do u blihen libra dhe materiale

5 Dhjetor 2019, 12:34 | Përditesimi i fundit: 2019-12-05 16:32:33

Ka rinisur këtë të premte procesi mësimor në qarkun e Lezhës, ndërsa vetëm në qarkun e Durrësit, Bashknë Kurbin, Vorë dhe Tiranë, mësimi do të nisë më 9 dhjetor, të hënën.

Nxënësit filluan mësimin në shkollën 9-vjeçare At Zef Pllumi në Shëngjin, kurse një pjesë tjetër në gjimnazin "Hydajet Lezha". Po punohet që nxënësit të pajisen me libra dhe materialet e tjera shkollore pasi gjithçka u ka mbetur në shtëpitë e dëmtuara.  

Tërmeti i 26 nëntorit preku rreth 4800 nxënës, pra që kanë shtëpi të dëmtuara apo të pabanueshme, ndërkohë që janë rreth 650 mësues në situatë të ngjashme.

Në 9 qarqet e Shqipërisë që nuk janë pjesë e zonës ku kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, mësimi ka rifilluar normalisht me 2 dhjetor.

Në Bashkinë Tiranë, përveç fshatit Pezë, që shkolla ka dalë komplet jashtë funksionit, mësimi rifillon me datë 9 dhjetor.

"Për të gjitha shkollat publike që rrezikojnë të mos hapen as më 9 dhjetor, ne kemi plan të detajuar të zhvendosjes së nxënësve në shkolla pritëse - pa e dëmtuar procesin normal mësimor", tha një ditë më parë ministrja e Arsimit, Besa Shahini.