Për herë të parë në rivlerësimin e pasurive të paluajtshme do të njihet edhe amortizimi i pronave, pra vjetërsia e pronës, sa më e vjetër të jetë prona aq më pak do të paguhet tatim pas procesit të rivlerësimit.
Në rast se keni një banesë me vjetërsi 10-vjeçare do t’ju zbritet nga çmimi pas rivlerësimit 10% e vlerës që ka dalë dhe më pas do të paguhet tatimi.
“Është lehtësi dhe është drejtësi. Pse drejtësi? Sepse deri tani qytetarët që e kanë shitur me 15%, po edhe me 3% kur ka qenë më përpara gjithnjë ishin të trajtuar në mënyrë jo të barabartë. Në rast se ti ke një banesë që e ke të vjetër, e ke të periudhës së komunizmit, edhe pse çmimi tregut për metër katror aty është shumë i rritur dhe çmimi i referencës për zonën ku banon qytetari është prap shumë i rritur nuk mund ta çosh ti duke patur 20-30 vjet amortizim. Ka qenë një padrejtësi që i bëhej qytetarit sepse nuk i zbritej në momentin që e shiste atë”,- tha Çoçoli.
Edhe eksperti i Pasurive të Paluajtshme, Orgest Beti, tha se përfshirja e elementit të amortizimit në rivlerësimin e një objekti është një kriter i logjikshëm dhe që duhej përfshirë më herët.
“Në fakt kjo është një gjë shumë e mirë pasi në rast se marrim një apartament le të themi që në një pallat të para viteve ’90 dhe një apartament i cili është pas 2020, nuk mund të kemi të njëjtin çmim. Logjika është shumë e saktë. Duhej të ishtë bërë më përpara por nuk është vonë”,- tha Beti.

















