Rriten të ardhurat nga kontributet, Ministria e Financave: Në 4 muaj u rritën me 3.9 mld lekë kontributet

18 Maj 2021, 18:11

Tregu i punës në Shqipëri po rimëkëmbet me ritme optimiste. Në 4 muajit e parë të këtij viti Ministria e Financave raporton se ka pasur një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Nga janari në prill janë arkëtuar 3.9 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Konkretisht në katërmujorin e parë të vitit nga kontributet janë mbledhur 36.1 miliardë lekë nga 32.1 miliardë që u mblodhën në 2020. Këto të dhëna dëshmojnë se punësimi po jep sinjale pozitive, dhe se të larguarit për shkak të pandemisë por rikthehen përsëri në punë. Nga ana tjetër ndikim në këtë rritje të të ardhurave nga kontributet ka dhënë edhe rritja e pagës minimale duke arritur në 30 mijë lekë prej 1 janarit të këtij viti. Rritja e pagës automatikisht sjell edhe rritje të sigurimeve që paguhen nga punonjësit dhe punëdhënësit. 

Po ashtu edhe të ardhurat nga tatimi mbi pagën janë rritur në këtë katërmujor me 1.8 miliardë lekë, në raport me janar-prillin e vitit 2020, kur vendi përjetojë edhe karantinën si pasojë e pandemisë. Në total sipas financave janë mbledhur nga ky zë 12.9 miliardë lekë nga 11 miliardë një vit më parë.

Nga ana tjetër rritje është regjistruar edhe tek tatimi mbi fitimin që lidhet me aktivitetin e bizneseve. Bazuar në të dhëna nga janari në prill janë mbledhur 2.1 miliardë lekë më shumë se në vitin e kaluar, pavarësisht se qeveria ka zeruar tatimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë. Kjo tregon se edhe sipërmarrjet po i rikthehen gradualisht normalitetit.