Ekonomia e vendit ka vijuar të rimëkëmbet me ritme të shpejta në tremujorin e dytë të këtij viti. Të dhënat e fundit të INSTAT raportojnë për një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 17.89% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020 kur ishte edhe karantina e përgjithshme. Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli ka bërë të ditura për mediat degët që kanë ndikuar në rritjen ekonomike për periudhën prill-qershor.
“PBB në tremujorin e dytë të vitit 2021 vlerësohet me rritje prej 17.89% krahasuar me tremujorin e dytë të 2020. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët industri, energji dhe uji me 4.13%, tregtia me 4.09%, ndërtimi me 3.42%, administrata publike arsimi dhe shëndetësia me 1.56%, aktivitete profesionale me 1.04%, pasuritë e paluajtshme 0.64%, arte argëtim e çlodhje me 0.59%, aktivitete financiare dhe të sigurimit 0.5%, informacioni me 0.38%. negativisht kontribuoi bujqësia me 0.19%, taksat neto mbi produktet ndikim pozitiv me 1.73%”, u shpreh Dhuli.



















