Teksa të gjithë presin SPAK dhe GJKKO të na thotë të vërtetat e mëdha të historisë tonë në këto 30 vite për këtë mendon aleati ynë më i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ish-President Republike, një ish-Kryeministër për 8 vite, kryetar dhe udhëheqës i opozitës për dekada, një prej personazheve më të rëndësishme të këtyre 30 viteve histori politike të demokracisë sonë të brishtë shpallet 'i korruptuar që ka minuar demokracinë' nga aleati ynë më i madh.
Tashmë është zyrtare. SHBA ka futur në 'listën e zezë' Sali Berishën dhe familjen e tij. Lajmin e ka dhënë sot vetë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Teksa garanton se amerikanët do të jenë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët në Shqipëri, Blinken shkruan në një postim në rrjetet sociale se akte të korruptuara të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri.
Në njoftimin e posaçëm të bërë në faqen zyrtare të DASH thuhet se ky vendim ndaj Berishës vjen pasi në funksionin e tij si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve.
SHBA akuzon Sali Berisha ka përdorur retorikën e tij për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politik nga hetimet e pavarura antikorrupsion dhe masave llogaridhënëse. Bashkë me Sali Berishën thotë DASH u ndalohet hyrja në SHBA edhe Liri Berishës, Shkëlzen Berishës dhe Argita Berisha Malltezit.



