Seanca në KPA, Rovena Gashi kërkon kthimin si prokurore, merr motrën si avokate

4 Prill 2019, 10:37 | Përditesimi i fundit: 2019-04-04 16:49:13

TIRANE- Rovena Gashi, ish-drejtuese e njësisë për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme e njohur si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dalë sot para trupës së Kolegjit të Apelimit duke kërkuar rrëzimin e vendimit dhe rikthimin në detyrë.

KPK-ja në 25 korrik të vitit të kaluar e shkarkoi Rovena Gashin me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë. KPK ngriti dyshime për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit (lexo ketu të plotë). Ndërkohë që tashmë pritet vendimi i Kolegjit të Apelimit. Në Kolegj, Rovena Gashi mbrohet nga motra Ema Gashi, ndërsa seanca ka nisur me debate për shkak të përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, raporton gazetari Arsen Rusta.

Vëzhguese sot ishte përcaktuar për të qenë Mia Rozing, por për shkak të probleme shëndetësore, në seancë është paraqitur Teo Jacobs, i njohur tashmë si 'makthi' i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar në vetting. Ema Gashi tha se nuk janë njoftuar për zëvendësimin, ndërsa Teo Jacobs replikoi duke u përgjigjur se "këtu përfaqësoj OMN-në". Pas replikave ndërhyri drejtuesja e trupës së Apelit, Albana Shtylla duke u tërhequr për vendim.