TIRANE-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra ditën e sotme prokuroren Rovena Gashi, ndërsa janë konfirmuar në detyrë gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani dhe ai i Tiranës, Astrit Faqolli.

Seancat e KPK sot nisën me gjyqtarin Astrit Faqolli. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Tiranës. Pas vlerësimit në tre shtyllat e vettingut, komisioni i KPK e cilëson si të përshtatshëm gjyqtarin për të vijuar detyrën. Vendimi i zbardhur do të publikohet në faqen e KPK pas 15 ditëve.

Ndërkohë që në raportin e DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) thuhej, sipas KPK se Faqolli është i papërshtatshëm për të qenë gjyqtar. Deklarimet u hodhën poshtë nga avokati mbrojtësi i gjyqtarit, ndërsa pas shqyrtimit të dokumenteve, sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi që ta konfirmonte në detyrë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:45
Konfirmimi i Dvoranit, Paloka: Na kërkojnë votën për të instaluar diktaturën

Partia Demokratike ka dalë kundër vendimit të KPK-së për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar në Facebook pas konfirmimit në detyrë të gjyqtarit Ardian Dvorani.

Në një status në Facebook, Paloka thotë se rasti i Dvoranit tregon se Rama kërkon votën e PD-së për të instaluar diktaturën. Që prej ditës kur Dvorani doli para KPK-së, PD u pozicionua kundër. Ishte demokrati Gent Strazimiri që doli në një konferencë urgjente për mediat dhe e quajti Dvoranin “çantë e Xhafajt”.

Ardian Dvorani rikonfirmohet në detyrë .Sokol Berberi, kunati i Fatmir Xhafajt dërgohet për herë të trete si kandidaturë e Ramës në Strasburg ( i rrezuar dy herë nga Strasburgu) dhe na thonë ne “mos pengoni reformën”.

Na kërkojnë votën për të instaluar diktaturën... R.K.T.K” (r*** ku t'i kesh).

Edi Paloka, nënkryetar i PD-së

Ora 10:57
U konfirmua në detyrë, Ardian Dvorani: Situata në Gjykatën e Lartë është alarmante

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani e priti i buzëqeshur vendimin e Komisionit të Vettingut, që e konfirmoi në detyrë. Ai kishte një thirrje për kolegët, që të gjithë duhet të jenë përballë KPK në seancë, pavarësisht vendimit që mund të merret. Më pas Dvorani u ndal te situata te Gjykata e Lartë, e cila sipas tij është alarmante, pasi ky institucion ka mbetur me vetëm 6 anëtarë, ndërsa presin 24 mijë dosje për t’u shqyrtuar.

U paraqita në respekt të Kushtetutës dhe ligjit për t’u ballafaquar me komisionin personalisht dhe për të treguar të vërtetën. Gjyqtarët duhet të paraqiten kushdo qoftë vendimi. Ndihem mirë, që Komisioni e vlerësoi karrierën time dhe mënyrën e jetesës si pozitive dhe kjo më bën të përmirësohem edhe më tej në të ardhmen.

Gjykata e Lartë është në vështirësi objektive, pasi numri i gjyqtarëve nuk ka qenë i plotë, në vitin e fundit është i përgjysmuar dhe në këto momente, pasi disa nga kolegët janë të pezulluar dhe numri është i kufizuar. Ne po bëjmë të pamundurën për të përballur ngarkesën.

Por situata është alarmante, zgjidhjet nuk mund ti japë gjykata e Lartë, pasi nuk e plotëson ajo numrin e gjyqtarëve. Detyra jonë është që të gjykojmë cështjet emergjente, të zgjidhim ato që mund të zgjidhim.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani

Ora 10:00
Vettingu konfirmon në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe hetimit të thelluar, trupa e KPK deklaroi se gjyqtari është i përshtatshëm për të vijuar detyrën e gjyqtarit. Dvorani ashtu si seancën e kaluar dëgjimore edhe sot ishte i pranishëm përballë trupës së KPK.

Në pasurinë e Dvoranit, numërohet një apartament me sipërfaqe 120 m2 në pronësi të dy bashkëshortëve dhe dy apartamente të privatizuar më 1993 dhe 1995 me sipërfaqe respektivisht 103 m2 dhe 76.8 m2 dhe një makinë Skoda Otavia, blerë më 2016.

Gjyqtari ka deklaruar gjithashtu edhe një hua të dhënë nga prindërit për shlyerjen e apartamentit që ka në pronësi me gruan, ndërsa nuk ka deklaruar 9 milion e 900 mijë lekë nga ana e tij.

Në seancën e kaluar trupa e KPK deklaroi se gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ardian Dvorani sipas raportit të ILDKPI nuk ka bërë një deklarim të saktë duke mosdeklaruar nëse ka apo jo burime të mjaftueshme për pasurinë e tij. Por, sipas KPK, ai nuk ka bërë fshehje llogarish apo të ardhurash por ka një deklarim të pasaktë për llogaritë bankare të tijat dhe të personave të lidhur me të.

Dvorani vetë u shpreh seancën e kaluar se mosdeklarimi ka ndodhur për shkak të ngarkesës së punës duke fajësuar edhe ILDKPI-në, e cila sipas tij nuk e kishte ftuar për të verifikuar pretendimet.

Ndërkohë që sot trupa e KPK e ka konfirmuar në detyrë. Për emrin e Ardian Dvoranit kishte mjaft akuza nga opozita në drejtim të kryeministrit, por Rama u përgjigj duke thënë se PD është e dëshpëruar nga pastrimi i pallatit të drejtësisë.

Ora 09:31
Arta Marku e pezulloi, Vettingu e shkarkon nga detyra Rovena Gashin, pasi nuk justifikon pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi për fshehje dhe pasuri të pajustifikuara. Gashi, ish-drejtuese e njësinë për dekriminalizimin në prokurorinë e Prokurorinë e Përgjithshme e njohur si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, por edhe për konfliktet me Arta Markun, pasi e pezulloi, sot është shkarkuar. Gashi nuk ishte e pranishme as seancën dëgjimore, por as sot kur u dha vendimi nga trupa e KPK e përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj.

Problemet me pasurinë e Rovena Gashit
Sipas raportit të ILDKPKI, që u lexua në seancën e kaluar dëgjimore nga trupa e KPK, Rovena Gashi nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë. KPK ngriti dyshime për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit, të paktën sipas faturave të OSHEE, ndërsa prokurorja pretendon se babai i saj është administrator i pallatit. Ish-drejtuesja e njësisë për dekriminalizimin në prokurorinë e Prokurorinë e Përgjithshme është në hetim, bashkë me bashkëshortin e saj, Dritan Gina, për fshehje pasurie. Më herët, ata u pezulluan të dy me vendim të kryeprokurores Arta Marku.

Skeda e pasurisë së Rovena Gashit/ Raporti i plotë i KPK