Senatori republikan dhe njëherësh drejtues i të djathtëve në Dhomën e Lartë të përfaqësuesve, Mitch McConnell, ka shfaqur një tjetër episod, në të cilin ai ka “ngrirë” tërësisht për disa sekonda.
Gjatë një konference shtypi, McConnell u pyet nga gazetarët nëse ai do të rikandidonte për një tjetër mandat në zgjedhjet e mesmandatit 2026.
Mirëpo, në vend që të jepte përgjigje, senatori republikan ngriu në vend për disa sekonda.
Një asistente e tija u afrua dhe e pyeti nëse ai e kishte dëgjuar dhe kuptuar pyetjen, por sërish, i përhumbur, McConnell me sytë e ngritur lart dhe një vështrim në ajër, nuk reagoi dhe mbeti i ngrirë.
Pas disa sekondave të tilla, ai u përmend sërish dhe tha se ishte gati të merrte pyetje të tjera nga gazetarët.
Kjo gjithsesi nuk është e para herë që diçka e tillë ndodh.
Disa javë më parë, i njëjti episod e përfshiu atë, duke ngrirë për disa sekonda gjatë një konference për media, nga e cila atij iu desh të largohej dhe të rikthehej disa minuta më vonë.
Kjo ngriti shqetësim te njerëzit, duke pyetur nëse McConnell ishte apo jo në gjendje të vijonte punën e tij si senator amerikan, apo duhet tashmë të jepte dorëheqje.
McConnell, 81-vjeçar tashmë, është një prej zërave më të rëndësishëm brenda republikanëve dhe e ka mbajtur titullin e liderit të pakicës në Senatin amerikan prej janarit 2021.
Për gjashtë vitet pararendëse ndërkaq, ai ka qenë kreu i shumicës në Senatin amerikan, pasi pozitat më të shumta asokohe vinin nga krahu i djathtë.
Ndërsa, prej 2021-shin, shumicën e mbajnë demokratët.