Plani i dhunshëm i PD-së për zgjedhjet, Basha mohon dokumentin dhe sulmon mediat

25 Qershor 2019, 11:52 | Përditesimi i fundit: 2019-06-25 15:02:11

Kryetari i PD-së Lulzim Basha paraditen e sotme ka zhvilluar një takim me zv/ ambasadoren e BE-së në Shqipëri Leyla Moses-Ones, që ka zgjatur 90 minuta, në qendër të bisedës ishte aktualiteti politik, ndërsa do të pasohet nga një takim me diplomatin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

Në përfundim të takimit me zyrtaren e lartë të SHBA-së në Shqipëri, Lulzim Basha nuk pranoi që të zbulonte se cfarë ishte diskutuar konkretisht, ndërsa mohoi qarkoren e shpërndarë nga PD-ja për degët në rrethe për mënyrën e bllokimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit (lexo këtu). Ai tha se dokumenti që ka dalë në media është mashtrim në shërbim të Edi Ramës, ndërsa sulmoi edhe televizionet.

"Takimet që unë kam me diplomatët e huaj nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave me shtypin. Dokumenti? Ku e ke marrë këtë informacion? Cilat media?  Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatik të Edi Ramës, është mashtrim total  dhe shërbim që i  bëhet Ramës.

Në 30 Qershor nuk ka zgjedhje. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën, votime bën edhe Korea e Veriut. Është standard ndërkombëtar, proces zgjedhor pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Cdo hap i Ramës, fushata, mitingje, takimet me administratën janë të paligjshme.

Aleanca qytetare për mbrojtjen e demokracisë do të mbrojnë demokracinë me opozitën në krye. Konfirmimi është i qartë, në 30 qershor nuk ka zgjedhje, Rama do përpiqet të kthejë zgjedhjet njëpartiake, por kjo nuk ka për të ndodhur. Shqiptarët do të mbrojnë demokracinë dhe pluralizmin. 30 Qershori është dita kur nis fundi i regjimit kriminal të Ramës. Aleanca e qytetarëve është në këmbë, shumica e medieve i censuron.