SHBA-BE: Zgjedhja e dy anëtarëve të Kushtetueses çon Shqipërinë përpara, gjykata të krijohet sa më shpejt

11 Nëntor 2019, 19:14

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë përshëndetur vendimin e parlamentit për të zgjedhur dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese në seancën e sotme plenare. Presidenti dhe PD-ja kanë dalë kundër procedurës, por SHBA-ja dhe BE-ja përmes ambasadave në Tiranë e mbështesin plotësisht vendimin e parlamentit. Ambasada e SHBA-së thotë se votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara, ndërsa BE-ja kërkon që të krijohet sa më shpejt që të jetë funksionale.

Deklarata e Delegacionit te BE-se në Tiranë
Sot Parlamenti zgjodhi dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE
" thotë BE-ja.

Postimi i delegacionit te BE-se ne Shqiperi

Deklarata e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë
Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri.