Shehi: Nuk ka asnjë rast vetëvrasje nga spitalet COVID! Agjencia italiane: 71 raste nga marsi

10 Nëntor 2020, 21:49

Në një kohë që janë regjistruar vetëvrasjet e pacientëve me COVID nga spitalet, mjeku Tritan Shehu shprehet se kjo është një situatë alarmante. I ftuar në emisionin Repolitix, ai deklaroi se në asnjë vend të Europës nuk ka pasur raste të vetëvrasjeve nga spitalet COVID duke hedhur poshtë dhe deklaratën e Ramës se në Itali janë regjistruar 71 raste.

"Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që të ketë bërë vetëvrasje nga spitalet COVID. Mbaj përgjegjësi për këtë që them. Më thoni se në cilin spital të Italisë që të kemi pasur një rast të vetëvrasjes. Në Europë jam i sigurt që nuk ka pasur. As në Gjermani nuk kam lexuar ndonjë vetëvrasje. Ka shumë faktorë që çojnë në vetëvrasje dhe çrregullime psikologjike. Sot kryeministri ka përdorur gjuhë që në një moment të tillë terrorizojnë.Boll e kemi kthyer spitalin në burg. Le t'i lidhim dhe me pranga dhe të mos shqetësohemi që të hidhen nga dritarja" - tha Shehu.

Por kjo deklaratë e Shehut nuk është e vërtetë pasi në mediat italiane janë raportuar shumë raste të vetëvrasjeve nga spitalet COVID. Madje Agjencia AGI pohon deklaratën e Ramës duke publikuar një shkrim se situata është alarmante me vetëvrasjet në Itali.

Ajo shkruan se që nga muaji mars ka pasur 71 raste, ku 46 prej tyre kanë lidhje drejtëpërdrejtë me koronavirusin.