Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor Presidentit: Ke kohë deri të hënën, mund të vish kur të duash!

18 Maj 2021, 15:11 | Përditesimi i fundit: 2021-05-18 15:20:29

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvilluar paraditen e sotme mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Mbledhja ka nisur me votimin e vendimit që Presidentit të Republikës t'i lihet një afat për tu paraqitur në komision. Metës i është dhënë afat nga nesër deri të hënën e ardhshme që të vendosë dhe të vijë kur të dojë.

Më herët u lexua edhe letra e Presidenti Ilir Meta, i cili duke i kthyer përgjigjet Kuvendit të Shqipërisë thotë se kërkesa për pjesëmarrje në Komision Hetimor në përmbajtje të saj nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj. Sipas Metës është e palegjitimuar, fiktive, jashtë çdo lloj afati, dhe jo vetëm që cenon hapur të gjitha parimet kushtetuese demokratike të shtetit të së drejtës, por në mënyrën se si është iniciuar, vlerësuar, miratuar dhe po vijon të realizohet, tregon qartë se përpiqet të krijojë idenë se Kuvendi po ushtron funksionet e tij, ndërkohë që, asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së Kuvendit të ri të zgjedhur më 25 prill 2021.

Ndërsa lidhur me kërkesën e Komisionit që të vihet në dijeni me axhendën e aktviteteve të tij, Meta i thotë se aktivitetet gjenden të gjithë në web.  

Kryetari i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni, në përgjigje të kësaj letër të Metës tha se çdo shkresë e Komisionit Hetimor është totalisht e bazuar në Kushtetutën e Republikës minimalisht, në Rregulloren e Kuvendit, në ligj.

E ftoj Presidentin të kuptojë rëndësinë e Kuvendi në një Republikë Parlamentare. Kush ka arsye për mostransparencë hedh hije mbi veten e vet. Ndaj do ta fotoja që të përgjigjet saktë dhe brenda afatit", tha ai.

Në mbledhjen  e sotme të Komisionit, relatorja e çështjes Klotilda Bushka informoi se i është kërkuar administratës një informacion shtesë për ligjet që ka kthyer mbrapsht Presidenti dhe sa prej këtyre kanë lidhje me Bashkimin Evropian dhe e kanë penguar këtë proces.

Edhe sot në mbledhje janë transmetuar deklaratat e Metës në televizione dhe deklarata për shtyp si dhe po lexohen të gjitha postimet e tij në rrjetet sociale. Videot e shfaqura në Komision janë nga emisione ku Meta ka folur për kryeministrin Edi Rama, për 'shembje të regjiomit' apo për të rrëmbyer sfurqet dhe lopatat, por edhe video e përplasjes me policinë Bashkiake në zyrat e FRD-së. Komisioni mbylli mbledhjen e sotme pa përcaktuar një datë për mbledhjen e ardhshme.