Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor transmeton të gjitha deklaratat e Presidentit para dhe pas zgjedhjeve!

17 Maj 2021, 17:00

Është zhvilluar sot mbledhja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në mbledhje janë transmetuar deklaratat e Metës në televizione dhe deklarata për shtyp si dhe po lexohen të gjitha postimet e tij në rrjetet sociale. 

Videot e shfaqura në Komision janë nga emisione ku Meta ka folur për kryeministrin Edi Rama, për 'shembje të regjiomit' apo për të rrëmbyer sfurqet dhe lopatat, por edhe video e përplasjes me policinë Bashkiake në zyrat e FRD-së.

Kreu i Komisionit Hetimor, Hyseni në fund njoftoi mbledhjen e radhës për nesër, mbledhje në të cilën është njoftuar të marrë pjesë Presidenti. Megjithatë sipas Hysenit ende nuk është marrë një përgjigje nga Presidenca. Kujtojmë se Meta ndodhet në Slloveni për të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të procesit të Brdo-Brijunit.

Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.