Shkatërruan stadiumin 'Air Albania'/ Arrestohen tre persona nga policia, 9 të tjerë në kërkim

23 Shkurt 2020, 12:33

Tre persona janë vënë në prangat e policisë për shkak të shkatërrimit të stolave të stadiumit ‘Air Albania’. Policia e Tiranës ka njoftuar se ka arrestuar tre shtetas, ku dy prej tyre janë tifozë të ekipit të Bylisit që të shtunën luajti kundër Partizanit, ndërkohë që është arrestuar edhe një tifoz 35 vjeç i ekipit të Tiranës. Për ndeshjen e bardhbluve kundër Kukësit, ku u shkatërruan 164 stola, janë shpallur në kërkim edhe 9 persona të tjerë, ndërsa gjashtë janë proçeduar penalisht.  

Përveç shkatërrimit të stolave disa prej tifozëve hodhën edhe sende të forta në fushë, më së shumti shishe uji. Ata akuzohen konkretisht për dy vepra: “veprime të dhunshme në aktivitetet Sportive” si dhe “Shkatërrimi i pronës". Sipas policisë peronat e arrestuar, të proceduar dhe të shpallur në kërkim janë kapur në flagrancë.

Të arrestuarit janë personat me iniciale G. M., 39 vjeç, K. B, 26 vjeç, tifozë të skuadrës së Bylysit, si dhe L. G, 35 vjeç tifoz i skuadrë së Tiranës. Ndërkohë 9 tifozët e shpallur në kërkim, të cilët janë të ekipit të Tiranës janë me inicialet E.M, J.S, A.T, M.H, M.B, A.S, E.S, G.M dhe F.SH. Policia thotë gjithashtu se vijon puna për identifikimin e prsonave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme, ndërsa për të lartpërmendurit materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Për shkatërrimin  e stolave ditën e djeshme reagun klubet e Tiranës dhe Kukësit, që dënuan ngjarjet dhe kërkuan nga tifozët reflektim. Ndërkohë qëndrim mbajti edhe kryeministri Rama i cili peronat përgjegjës për shkatërrimin e stadiumit i quajti katërkëmbësha të cilët do të përballen me ligjin.