Shpërthim tritoli në banesën e kryetarit të PD-së në Shijak

24 Maj 2021, 13:57 | Përditesimi: 24 Maj 2021, 16:27

SHIJAK- Banesa e kryetarit të Partisë Demokratike të Shijakut u sulmua me lëndë plasëse. Tritoli u vendos në ballkonin e shtëpisë private, ndërsa fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.

Sipas informacioneve zyrtare nga policia, tritoli shpërtheu rreth orës 22:00 të së dielës në lagjen “Kodra” në Shijak, ndërsa pati disa të shoqëruar dhe grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit.

Autorët dyshohet se kanë kapërcyer kangjellat e rrethimit të shtëpisë për ta vendosur sasinë e vogël të lëndës plasëse brenda rrethtimit, ndërsa për të mësuar dinamikën e ngjarjes, policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë që kryedemokrati i Shijakut kishte vënë në banesë.

Sipas burimeve jo zyrtare, vëllai i vogël i Ilgner Vorës disa ditë më parë kishte pasur një konflikt me disa adoleshentë, por nuk dihet nëse mes tyre gjendet edhe autori i shpërthimit, megjithatë zyrtari democrat ka dhënë sqarimet e tij në komisariatin e Shijakut.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat, Ilgnor Vora tha se vëllai i tij 16 vjeç dhe ato vetë nuk kanë pasur konflikt me askënd. Vora tha se po pret përgjigjen e policisë në lidhje me hetimet që po bëhen për ngjarjen, duke shtuar se përveç denoncimeve politike, nuk ka pasur asnjë konflikt.

Sulmi me lëndë plasëse në banesën e drejtuesit të Shijakut, shqetësoi edhe degën qendrore të Partisë Demokratike, e cila në një njoftim zyrtar shprehet se e konsideron “këtë akt kriminal të papranueshëm, të rëndë dhe kërkojmë zbardhjen pa vonesa të kësaj ngjarje dhe vënien menjëherë përpara përgjegjësisë të autorëve”.

“Ngjarje të rënda si kjo dhe aktet kriminale të kohëve të fundit, janë thirrje ulëritëse për organet ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi, profesionalizën dhe paanësi për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe jetës e pronës së qytetarëve”, përfundon njoftimi i zyrës së shtypit të PD-së

b.ha./Shqiptarja.com