Shpronësohen 8 familje në Astir, gati fondi 3.4 mln dollarë për 15 të tjera

12 Nëntor 2019, 18:35

TIRANE - Në një kohë që kanë nisur shembjet e banesave në zonën e "Astirit" në Tiranë për t'i hapur rrugën realizimit të projektit për rehabilitimit dhe modernizimit të segmentit rrugor “Pallati me Shigjeta - Rrethrrotullimi Shqiponja” deri tani janë shpronësuar me vlerën e tregut vetëm 8 subjekte, në total 148 milion lekë.

Më konkretisht, ka përfituar familja e Rezi Gjonit që ka një banesë pranë rrethit të Doganës është shpronësuar me 11.3 milionë lekë. Familja e Gjovalin Kulit për një servis makinash, përsëri pranë Doganës, ka marrë 16.3 milionë lekë, ndërsa Emin Dokushi është shpronësuar me plotë 55.6 milionë lekë. Familja e Gëzim Llukës është shpronësuar me 4 milion lekë, ndërsa Rudolf Petoshati, për një ndërtesë që shërbente si biznes familjar, ka marrë në llogarinë e tij 26.9 milion lekë. Familja e Gjergj Shollës është shpronësuar me shumën 4.1 milion lekë, ndërsa biznesi Billa që funksionon pranë Unazës së Re ka përfituar 11.2 milionë lekë. Familja me kryefamiljare Merita Çelmeta për një magazinë pranë Doganës ka përfituar shumën prej 18.2 milionë lekësh.

Nga qeveria, i pari që reagoi ishte zëvendërkyeministri Erion Braçe, i cili tha se të gjithë banorët janë dëmshpërblyer, ndësa nuk la pas ironinë për deklaratën e një zonje që akuzonte shtetin edhe pse kishte marrë 130 milionë lekë për objektin që i shembet.  Braçe thotë se janë ndarë edhe 3.4 milionë dollarë për 15 objekte tek Loti i parë, nga 1.2 milionë dollarë që janë paguar dhe janë marrë për 8 objektet e para.

"130 milion lekë tallje? 10 milion dollarë tallje?A i dini numrat apo jo? Vetëm për 8 objekte në Lot 1 janë paguar e marrë: 148 milion lekë/1.2 milionë dollarë! Për 15 objekte të tjera tek Loti i 1 janë ndarë paratë e janë gati: 360 milion lekë/3.4milion dollarë! Bëjini vetë llogaritë! Kjo veç tallje nuk mund të jetë! Ky Lylzim Basha që është parelli i madh shumë, patjetër, tua paguajë një shtëpi saç shtëpia e luksit në bllokun e vilave ku merr frymë! Por nga lekët e tija ama, nga lekët e tij!", tha Braçe.