Shqipëria merr zyrtarisht kryesimin e OSBE-së, Rama shpalos objektivat: Do ta nis nga Ukraina, kryefjalë dialogu, do zgjidhim problemet

9 Janar 2020, 15:25

VJENE-Shqipëria ka marrë sot zyrtarisht Presidencën e OSBE-së që do ta drejtojë përgjatë vitit 2020. Mëngjesin e sotëm Edi Rama mbërriti në zyrën e kryetarit të OSBE-së në Vjenë, ku u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger. Edi Rama e konsideroi këtë një moment historik për Shqipërinë.  "Është një ditë shumë e rëndësishme. Jam shumë krenar dhe ka një bashkëpunim shumë të mirë. Këtu kemi një ekip shumë të mirë me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme" tha Rama.

Më pas kryeministri shqiptar mori fjalën dhe prezantoi programin dhe përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Dialogu, ishte kryefjala e përparësive në fjalimin e kreut të qeverisë shqiptare, por edhe lufta kundër krimit, ekstremizmit, anti-semitizmit, dhunës ndaj grave, toleranca, etj. Një tjetër përparësi sipas tij është edhe nxitja e lirisë së shprehjes dhe medias. Rama tha se misionin do ta nisë nga Ukraina.

Kriza në Ukrainë mbetet sfida më e madhe e sigurisë në Europë. Përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve do të jenë në krye të axhendës sonë. Ukraina do të jetë destinacioni im i parë si kryesues i OSBE-së. Nixtja e lirisë së shprehjes e medias dhe lufta kundër dhunës së gruas janë përparësi urgjente, trafikimit të qenieve njerëzore. Ka ardhur të sinjalizojmë një reagim ndaj një rritje të krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes. Na duhet të përforcojmë platformat tona të dialogut me partnerët aziatikë dhe mesdhetar për bashkëpunim. Po flas në emër të një vendi, që dje u përcaktua si vend djallëzor në mes të Europës nga regjimi i Teheranit" tha ai ndër të tjera.

18 nga punonjësit në zyrën e OSBE-së janë shqiptarë ose 60% dhe 12 janë të huaj ose 40% e stafit prej të cilëve 2 italianë, 2 gjermanë, 2 norvegjezë, një austriak, një zviceran, etj. Kryeministri, njëkohësisht dhe Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Kryetar i OSBE-së Edi Rama, do t’i paraqesë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e Shqipërisë sot në Vjenë. Kryeministri Rama bëri edhe fotografitë tradicionale familjare të nisjes së misionit të drejtimit të OSBE; me ambasadorët e misioneve të vendeve anëtare në Vjenë; me shefat e misioneve në terren; me ekipin shqiptaro-ndërkombëtar të misionit tonë.