Shqipëria zi, tërmeti vret dhjetra persona

27 Nëntor 2019, 15:07 | Përditesimi i fundit: 2019-11-27 15:07:34

TIRANE-Inxhinieri Arben Meçe i ftuar në studion e emisionit 'Repolitix' në Report Tv u shpreh se në Durrës së bashku me grupin e punës që ka qenë i pranishëm në terren ka nxjerrë 14 pallate të pabanueshme. Ai tha se të gjitha pallatet që janë nxjerrë të pabanueshme nuk kanë dëmtime në konstruksion, por vetëm të mureve. Ndërsa përsa i përket atyre që janë shembur, inxhinieri theksoi se 9 objektet kanë qenë të ndërtuara jashtë standardit.

"Tërmeti nuk ishte fatal, pasi nuk kishte asnjë nga objektet me dëme konstruktive. Unë isha në një zonë, me grupet e terrenit, bëmë inspektim në terren për të bllokuar ato ndërtime që rrezikonin jetën e njerëzve.

Ne bllokuam futjen e njerëzve që rrezikonin jo të shembeshin, por në rastin e një lëkundje njerëzit do i zinin brenda. Unë kam nxjerrë 14 pallate te pabanueshme në rajonin nr. 3 në Durrës dhe të 14 asnjëri prej tyre nuk kishte probleme konstruktive dhe asnjë në gjithë Durrësin, por të zbatimit të strukturës të rifiniturës të mureve.

Pallatet ishin nga 9-13 kate. Prova e 6.4 ballë klasifikohet i rëndë por jo për konstruksionin. Nga Tërbufi deri në Tiranë ka vetëm 9 objekte të rrëzuara. Këto ranë pasi janë ndërtuar jashtë standardit, jashtë kontrollit shtetëror, që ne i themi legalizim tani. 300-500 mijë objekte janë jashtë kontrollit sizmik" deklaroi ai.

Inxhinieri kishte edhe disa këshilla për qytetarët në momentin e rënies së tërmetit. "Nga Tirana në Kurbin nuk ka asnjë ndërtim të ri të dëmtuar. 90% e personave të dëmtuar në spital janë si pasojë e momentit të parë, alertit. Ne jemi në lëvizje dhe nuk kuptojmë. nga 10-30 sekonda duhet të rrimë në shtëpi të futemi poshtë tavolinës, thotë japonezi.

Afrohu te kolona apo trau. Pasi të bjerë vala tërmetit dil jashtë. Zona e plazhit është më delikate, pasi është informale dhe me shumë kate. Objektet që kanë rënë kanë rënë për këtë arsye, se është nisur me kolona për një apo dy kate dhe është ngritur më shumë. Në zonën më informale të Shqipërisë nga Laçi në Tiranë, përfshirë Kënetën nuk ke një ndërtim" tha ai.

Sizmologu Edmond Dushi i ftuar në Repolitix tha se tërmeti ka zgjatur 20-25 sekonda, "ishte 8-9 ballë në epiqendër dhe me përshkallëzim në distancën ndryshon më pas. Por e kemi përcaktuar si 8 ballë" tha ai.