Shtohet misteri/ Lulzim Basha nuk deklaron në ILDKP kontratën e qirasë së vilës në 'Long Hill', zero shpenzim për banim në 2019

15 Korrik 2020, 20:11

Shtohen dyshimet dhe misteri rreth zhvendosjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në tetor të vitit 2019, për të banuar në një shtëpi në kompleksin e vilave “Long Hill”, në Tiranë. Në fund të vitit 2019, kryetari i opozitës refuzoi të jepte detaje si dhe të publikonte kontratën e qirasë së pretenduar, për jetesën në një shtëpi, në një zonë të tillë të Tiranës, ku qiraja mujore kushton rreth 2.5 mijë euro. E vetmja mundësi që Lulzim Basha të deklaronte dhe sqaronte raportin e tij me vilën, nëse banonte me qira apo e kishte blerë, ishte deklarimi i pasurisë për vitin 2019, pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si një detyrim ligjor dhe më pasoja penale, në rast refuzimi apo deklarimi të rremë.

Por, Lulzim Basha nuk ka deklaruar asnjë kontratë qiraje dhe asnjë shpenzim për koston e banimit në shtëpinë e re gjatë vitit 2019, në dokumentin e pasurisë për këtë vit. Nga verifikimi i deklaratës së pasurisë së firmosur nga Lulzim Basha, nuk rezulton asnjë e dhënë mbi shpenzimet financiare për banim për vitin që kaloi. Nga ana tjetër, në 28 tetor të 2019, Partia Demokratike deklaroi përmes një njoftimi zyrtar se “Pas disa dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, banesa e z. Basha do të duhet t’i nënshtrohet disa punimeve të domosdoshme. Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banese me qira...”.Bazuar në këtë deklaratë të PD-së, fakti që Lulzim Basha nuk deklaron shpenzimet dhe kontratën e qirasë, është tejet komprometues dhe mund ta veshë kryetarin e opozitës edhe me përgjegjësi penale. Ligji nr. 9049 për deklarimin e pasurisë, në nenin 4 parashikon që subjekti deklaruar duhet të deklarojë çdo ndryshim në llogaritë bankare dhe të gjendjes cash, si dhe si dhe çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit. Gjithashtu ligji parashikon detyrimin për të deklaruar edhe dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale.