Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndërruar shtëpi. Tashmë, ai nuk jeton më në apartamentin e tij në katin e 12-të, pranë kullave afër stadiumit "Arena Kombëtare", por është zhvendosur kompleksin e vilave “Long Hill”, në periferi të Tiranës.

Duke bërë një kërkim të thjeshtë tek agjencitë imobiliare, mësohet se një shtëpi në këtë zonë kushton mesatarisht 410 mijë euro, e ndërsa për ta marrë me qira kushton rreth 2.4 mijë euro në muaj. Vilat në këto zonë janë kryesisht dy katëshe, me pishinë dhe në këtë zonë jetojnë diplomatë, bankierë dhe personazhe të njohura të biznesit.

Mësohet se Basha është zhvendosur në javën e kaluar, e ndërsa me ardhjen e tij në këtë zonë janë rritur masat e sigurisë. Ky kompleks është ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, i cili është akuzuar nga PD-ja si oligark pranë PS-së.

Në reagimin zyrtar, PD-ja konfirmon se Basha është zhvendosur me shtëpi në “Long Hill”, por thotë se është e përkoheshme për shkak se shtëpia e tij i është dëmtuar nga tërmeti.

"Ne disa media është shpërndarë një dezinformim i qëllimshëm lidhur me banesën e kryetarit të PD Lulzim Basha. Pas disa dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, banesa e zotit Basha do të duhet t’i nënshtrohet disa punimeve të domosdoshme. Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohesisht në një banese me qira, që nuk ka asnjë lidhje me fotot e rreme të shpërndara nga disa portale te kontrolluara nga qeveria. Banesa me qira e familjes se zotit Basha jo vetem nuk ka pishine, por është më e vogël sesa banesa e tij në rindërtim. Gjithçka tjetër është trillim i sponsorizuar nga qeveria", njofton PD.