Shuhet nga COVID-19 familja në Mirditë/ I afërmi: U infektuan në një ceremoni mortore

6 Mars 2021, 13:10

RUBIK- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Rubik, ku një familje është shuar pasi u infektua me COVID-19. Mësohet se viktimat janë Hamit, Dushe dhe Alban Cara, djali i tyre i vetëm. Këtë betejë e humbi fillimisht djali dhe babai, e ndërsa fatkeqësisht pak ditë më pas, brenda një harku kohor prej një jave, ka ndërruar jetë edhe gruaja.

Një prej të afërmve ka zbuluar se gruas, i kishte vdekur vëllai një muaj më parë dhe familja kishte qenë në ceremoninë mortore, ku dhe dyshohet se ishin infektuar.

“E kam mik, nuk kanë pasur asnjëlloj problemi. Para një muaji i ka vdekur vëllai Dushes, pasi ka vdekur ajo, është sëmurë burri, 83-vjeç, djali 43-vjeç.  Gruaja është trajtuar te ‘Shefqet Ndroqi’, djali në shtëpi. Ku ka më rëndë. Nuk ka pasur sëmundje djali”, tha ai.

Fqinjët e përshkruajnë këtë familje shumë të rregullt, të respektueshme me 2 prindër që kanë sakrifikuar shumë për rritjen e fëmijës. Kjo tragjedi është një kambanë alarmi, ku sipas ekspertëve në ndryshim nga fillimi i pandemisë, ku vatrat e infektimit ishin në komunitet, tani më ato janë vatra familjare.

Muaji shkurt ka regjistruar numrin më të lartë të të prekurve dhe viktimave. Vetëm gjatë ditës së djeshme, 21 persona humbën jetën, e ndërsa rezultuan pozitiv me COVID 780 raste të reja.