Investigimi/Si u privatizua edhe pishina që ishte pronë e një privati tjetër

15 Shkurt 2021, 20:08 | Përditesimi: 15 Shkurt 2021, 21:36

Njollat ​​e errëta nuk mbarojnë këtu. Në fakt, ekziston një pjesë tjetër toke që përfundon në duart e grupit të ish-pronarëve të udhëhequr nga dhëndri i Berishës dhe që sipas dokumenteve të hipotekës, i përkasin një pronari privat të quajtur Esat Pira. Bëhet fjalë për 920 metra katrorë mbi të cilën qëndronte pishina e Klub Partizanit dhe të cilat u përfshinë në totalin prej 26,524 metra katrorë të privatizuar.

Ky dokument, i datës 22 prill 2008, tregon se Dega e Shoqërive Publike pranë Ministrisë së Ekonomisë, i kërkon Zyrës Rajonale për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave informacion pikerisht për pishinën pranë ish-Klubit Partizani. “Kërkojmë nga ana juaj të na konfirmoni çmimin e truallit, sipas hartës së vlerës së tokës, si dhe, nëse ka vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për objektin ‘Pishina Laprakë’ pjesë e Klubit Shumësportësh Partizani, Tiranë”. Në 29 prill 2008, kreu i ‘madh’ i AKKP, Besnik Maho, përgjigjet më shkresën që po shikoni me numër protokolli 1035, ku thuhet se “objekti i mësipërm (pishina) sipas hartës treguese të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Tiranë, është në pronësi të shtetasit Esat Pira, me numër pasurie 12/27”.

Përgjigja e kreut të AKKP-së shoqërohet nga kjo hartë që tregon pasurinë e Esat Pirës me të dhëna të detajuara.

Por ky dokument u injorua plotësisht nga Ministria e Ekonomisë dhe Mbrojtjes e cila vazhdon procedurat e privatizimit edhe në atë pjesë të tokës që në të vërtetë ishte në pronësi të një personi tjetër. Sic lexohet në këtë Raport për vlerësimin mbi të cilin është i mbështetur procedura e privatizimit, duket qartë që në sipërfaqen totale të kthyer ish-pronarëve është përfshirë edhe pishina, pra prona e Esat Pirës. Si mund të vlerësohet për privatizim një pronë me pronar privat të ligjshëm? Dhe pse ajo njollë trualli nuk u përjashtua nga procedura e privatzimit duke pritur një vendim gjykatë?

Pas 9 vjet përpjekjesh të pafrytshme për të marrë drejtësi, në 14 prill 2017, Esat Pira doli publikisht dhe akuzoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, se i kishte rrëmbyer pronën tek ish-Kompleksi Partizani në Laprakë.

Lexoni investigimin e plotë bërë nga Report Tv këtu

b.ha./Shqiptarja.com