Si ndahet buxheti 2022 mes institucioneve? Shëndetësia merr pjesën e luanit! Tkurren fondet për Infrastrukturën dhe Financat

27 Tetor 2021, 16:31

TIRANË- Projektbuxheti i vitit të ardhshëm ashtu si edhe buxheti aktual do të jetë i orientuar drejt menaxhimit të pandemisë COVID-19. Fakt ky që konfirmohet edhe në buxhetin e përcaktuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që është rritur me 6.623 miliardë lekë krahasuar me shpenzimet e parashikuara për këtë vit.  

Konkretisht nëse këtë vit shpenzimet buxhetore për këtë ministri janë 70.452 miliardë lekë, për vitin e ardhshëm parashikohet shuma prej më shume se 77 miliardë lekësh, duke marrë edhe pjesën e ‘luanit’. Objektivat e këtij institucioni, do të jenë kryesisht përmirësimi i shërbimit spitalor, vaksinimi i popullatës, rimbursimi i ilaçeve apo financimi i kontrollit bazë mjekësor.  Institucioni që ka pasur rritjen më të madh të buxhetit është Ministria e Mbrojtjes me një rritje buxheti prej 7.9 miliardë lekësh.