Një situatë e rrezikshme u shfaq në zonën turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku shtrirja e madhe e flakëve dhe era e fortë rrezikoi resorte e banesa në orët e vona të mbrëmjes së 29 korrikut duke u gdhirë 30 korriku. Zjarri vjen në kulmin e sezonit turistik, ndërsa për shkak të rrezikut të lartë gjatë natës janë evakuuar turistët që kanë qenë me pushime në Ranën e Hedhun, por edhe banorë të zonës.
Flakët që kanë rënë në Malin e Shëngjinit prej të shtunës pasdite (28 korrik) u riaktivizuan pasditen e së hënës, e megjithëse u ndërhy nga ajri me helikopter izolimi i flakëve ishte i pamundur, për shkak të dendësisë së bimësisë dhe erës së fortë që i favorizonte.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla përmes postimi në rrjetet sociale të publikuar në mesnatë bën të ditur se flakët janë afruar pranë zonës së banuar dhe policia e shtetit ka nisur evakuimin e banorëve.