Skandal / ILDKP-ja informoi Bashën që në 2014 se leja e ndërtimit dhënë vetes është në konflikt interesi (Letra)

22 Dhjetor 2018, 13:44 | Përditesimi i fundit: 2018-12-22 16:37:41

Përmes një deklarate zyrtare, dje Lulzim Basha u mundua të shfajësohej se kishte marrë miratimin me shkresë zyrtare nga Inspektorati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, se po t’i jepte vetes një leje ndërtimi, me firmën e tij si kryebashkiak i Tiranës, për të ndërtuar një kat shtesë në pallatin ku banonte, pra katin e 13-të ku jeton edhe sot, nuk ishte në konflikt interesi.

Por, ne sot po publikojmë pikërisht letrën që ILDKP i ka dërguar Lulzim Bashës për këtë çështje me 30 korrik 2014. Nga komunikim vërtetohet lehtësisht se pretendimi i Bashës është i pavërtetë dhe se kryetari i PD ka gënjyer në deklaratën e bërë dje pasdite.

Në këtë letër, ILDKP i kujton ish-kryebashkiakut Lulzim Basha se është në konflikt të hapur të interesit, duke qenë se leja që ai do të jepte ishte për veten e tij. Ky institucion i ka bërë me dije Bashës nenin 37 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005, i ndryshuar, ku janë përcaktuar mënyrat bazë të parandalimit, trajtimit dhe të zgjidhjes së konfliktit të interesit për zyrtarët që ushtrojnë funksione publike.

Gjithashtu, ILDKP i ka kujtuar Bashës, që me profesion është edhe jurist, edhe nenin 37 të Kodit të Procedurave Administrative ku përcaktohen llojet e interesave private që bëhen shkak për lindjen e një konflikti interesi dhe ndalimi i pjesëmarrjes në një vendimmarrje publike ku ekziston interesi privat.

"Asnjë punonjës i organeve të administratës nuk mund të marrë pjesë në një proces vendimmarrës administrate apo në një lidhje kontrate ku administrata që ai përfaqëson është palë në rastet kur punonjësi ka ose dyshohet të ketë kushtet e mëposhtme:

a)    ka një interes personal direkt apo indirekt në çështjen në fjalë;

b)    bashkëshorti apo bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë kanë një interes direkt apo indirekt në çështjen në fjalë”.

Pra e shkruar e zeza në të bardhë, ILDKP i ka bërë me dije kreut demokrat se ka konflikt të pastër interesi në çështjen në fjalë. Por, edhe pse Basha do të deklaronte se ishte i pa zëvendësueshëm në detyrën e tij si kryetar i bashkisë, praktika e mëvonshme e administratës së tij ka treguar krejt të kundërtën, pasi në gusht të 2014-s disa leje ndërtimi janë firmosur nga ish nënkryetari I bashkisë, Enno Bozdo.

Nga ana tjetër, ky komunikim i Bashës me ILDKP-në provon edhe njëherë faktin se Basha duke përfituar nga pushteti i ka dhënë leje vetes për një kat të 13-të shtesë, duke uzurpuar tarracën e cila është hapësirë e përbashkët e pallatit dhe duke rrezikuar banorët edhe me shembjen e mundshme të pallatit, i cili ishte projektuar për 12 kate. Marrë nga Gazeta Tema