Skandali me trukimet, Shyti: Hetim, po cenohet imazhi! Kodra: E shëmtuar, të gjurmohen lekët në baste nëse të çojnë te Bylisi dhe Tirana

4 Korrik 2020, 18:36 | Përditesimi i fundit: 2020-07-04 19:11:55

TIRANE-Pas skandalit me ndeshjen Bylis-Tirana të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, që dyshohet se u trukua, kompanitë e basteve ndërkombëtare pezulluan bastet për futbollin shqiptar. Për të hedhur më shumë dritë mbi atë që po ndodh me kampionatin shqiptar me fenomenin e trukimeve, në studion e Report Tv ishte i ftuar gazetari sportiv Altin Kodra dhe me skype nga Durrësi, ish-kryetari i shoqatës së basteve sportive, aktualisht drejtori i ekipit të Teutës, Artan Shyti. Për gazetarin sportiv më shumë se trukim fenomenin që ndodh në Shqipëri e cilëson si tolerim mes klubeve për interesa të ndryshme. "Fjala trukim është paksa e ndërlikuar. Në mendimin tim në Shqipëri ndodhin tolerime kur bëhet fjalë për kampionatin dhe Kupën, më lër kupën, të lë kampionatin" tha ai.