Skandali/ Zbardhet vendimi për lirimin e vëllait të Alketa Vejsiut! Prokuroria ndryshoi akuzën: Minat iu gjetën në banesë jo në automjet

22 Tetor 2019, 16:18 | Përditesimi i fundit: 2019-10-22 18:41:03

Report Tv zbardh të plotë vendimin e Gjykatës së Lezhës që me kërkesë të Prokurorisë liroi nga qelia Endrit Vejsiun, vëllanë e moderatores Alketa Vejsiu, i arrestua një vit më parë me 3 kg kanabis si dhe 4 mina me telekomandë në bagazhin e makinës.

Nga bashkimi i dy veprave penale që rëndojnë mbi Vejsiun, “Prodhimin dhe shitja e narkotikeve”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, organi i akuzës kërkoi dënimin me 5 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 3.4 vite heqje lirie. Po ashtu, Prokuroria e Lezhës i kërkoi Gjykatës së këtij rrethi që të pezullojë dënimin me burg për të pandehurin Endrit Vejsiun, duke e çuar në Shërbim Prove për një periudhë kohore prej 5 vitesh, dhe gjatë kësaj kohe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale, të mos përdorë armë, si dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.

Ndërkohë, në vendimin e Gjykatës së Lezhës, që mban datën 15 Tetor të këtij viti, vërehet se Gjykata ka dhënë një dënim më të ashpër seç ka kërkuar Prokuroria e Lezhës, duke e dënuar Vejsiun me 6 vite burg, e që me uljen e 1/3, dënimi shkon në 4 vite heqje lirie.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, thuhet se duke qenë se Endrit Vejsiu ishte i padënuar më parë, Gjykata me kërkesën e Prokurorisë kërkoi pezullimin e dënimit, duke e kaluar nga burgimi në shërbimin e provës.

Skandali me drejtësinë thellohet edhe më tej, kur për këtë çështje, Prokuroria ka ndryshuar edhe një nga veprat penale.

Fillimisht, pas arrestimit të Vejsiut, policia i referoi materialet me akuzën e “Trafikimit të lëndëve plasëse”, vepër penale kjo e ndryshuar tashmë në atë të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, e parashikuar nga neni 278/5 i Kodit Penal. Në këtë nen thuhet se: Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Një vit më parë, policia e Lezhës njoftoi zyrtarisht se minat me telekomandë Vejsiut iu sekuestruan në bagazhin e makinës, e jo në banesën e tij. Në Kodin Penal, në nenin 278 për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe të municionit, në pikën shtatë thuhet: Mbajtja e armëve, i bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Në këtë pikë rikujtojmë se është pikërisht kjo vepër penale që akuzohet Vejsiu, pasi minat me telekomandë i janë gjetur në automjet dhe në ambiente publike.