Skeda në Itali e të vrarit në Shkodër, Nardi i bujtinave në Theth do të bëhej baba i një djali

21 Mars, 15:39

24 orë nga vrasja e biznesmenit Ferdinand Polia në Shkodër, policia nuk ka ende një emër të autorit. Por duket se e kaluara e errët në Itali, ku qëndroi për disa vite si emigrant, dyshohet të jetë shkaku që i mori jetën 32-vjeçarit. Nga një hulumtim i kryer në mediat italiane, Polia rezulton të ketë qenë i përfshirë në disa aktivitete kriminale në vendin fqinj, madje edhe i dënuar nga Gjykata në Itali.

Sipas raportimeve të mediave italiane në vitin 2011, Ferdinand Polia në atë kohë 24 vjeç, do të arrestohej në një operacion të karabinierëve së bashku me 8 shqiptarë të tjerë. Grupi i shqiptarëve u prangosën pasi nga hetimet e kryera nga autoritetet italiane, u zbulua se Polia dhe 8 shqiptarët e tjerë, ishin të përfshirë në trafik kokaine dhe shfrytëzim prostitucioni në lokalet e natës në zonën e Trevisos, në një aktivitet kriminal përfitimet e të cilit shkonin deri në 800 mijë euro.Polia do të dënohej nga drejtësia italiane me 4 vite burg. Por nuk mbaron me kaq, pasi gjatë gjykimit të tij, autoritetet do të zbulonin edhe të paktën dy vjedhje me dhunë, ku 32-vjeçari Polia kishte qenë autor. Konkretisht, në nëntor të vitit 2008 dhe më vonë në vitin 2010, Polia është akuzuar si autor i vjedhjes së të paktën dy shtëpive. Madje në vjedhjen e vitit 2010, Polia do të dilte i plagosur gjatë një përleshje me tre marokenë, pronarë të shtëpisë në të cilën 32 vjeçari ishte futur për të vjedhur. Pas kësaj, Ferdinand Polia do të linte Italinë, për t’u kthyer në Shqipëri, ku do të hapte një bujtinë në zonën turistike të Thethit.

Por ndryshe nga sa kishte ndodhur në Itali, në vendin tonë Polia do të njihej si një biznesmen i suksesshëm. Madje Ferdinand Polia, deri më sot ka qenë edhe administrator i Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit. Në vitin 2017, në kuadër të luftës anti-kanabis, Polia dhe kryeplaku i Thethit Marash Rrgalla do të procedoheshin penalisht nga policia, pasi në këtë zonë, u zbulua një parcelë me 20 fidanë cannabis sativa. Në atë kohë Polia do të deklaronte se nuk kishte lidhje me kultivimin e lëndës narkotike dhe se sipas tij është e pamundur që dy persona të kenë nën kontroll të gjithë territorin. Megjithatë, mbetet i paqartë emërimi i Polias si administrator i zonave të mbrojtura në një kohë që qenë i arrestuar dhe dënuar në Itali. 

Për të ardhur në ditën e sotme, në ekzekutimin me 20 plumba nga një armë silenciator, që i mori jetën biznesmenit. I njohur si “Nardi i bujtinave”, ai po kthehej nga servisi i makinave, ku kishte riparuar automjetin e tij fuoristradë. Ai po udhëtonte bashkë me Xhovan Mirashin, punonjësin e servisit, në momentin kur një person ka qëlluar në drejtim të biznesmenit për t’u larguar më pas me motor.

urime për Report TV bëjnë me dije se Mirashi dhe dy vëllezërit e tij, punonjës në servis, janë shoqëruar në polici për t'u marrë në pyetje. Të njëjtat burime theksojnë se në dëshminë e tij Mirashi ka treguar se autori  ka qenë një person i vetëm i cili ishte mbi motor dhe kishte skafandër te zezë. Ai ka qëlluar disa herë në drejtim të viktimës dhe pastaj është larguar me shpejtësi.

Ky fakt tregon që vrasja është kryer nga një dorë profesionisti për shkak të preçizionit të ekzekutorit, pasi Xhovan Mirashi nuk ka pësuar dëmtime. Ndërkohë që në zonën e njohur si “Ura e Mesit” është gjetur i djegur motori i autorit të krimit. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, për të krijuar një identikit të autorit.

Ndërkohë familja Polia ka hapur dyert e mortit, ku mes lotësh e trishtimit thonë se kjo ngjarje e rëndë i ka zënë në befasi. Vdekja e biznesmenit ka sjellë një shok të rëndë psikologjik, veçanërisht për bashkëshorten e tij, e cila mësohet se është në pritje të ëmbël. Ajo ka edhe një djalë, i cili tashmë nuk do të ketë më pranë babain e tij.

Ferdinand Polia disa herë ishte ankuar përmes kamerës së Report TV për shkak të infrastrukturës në zonën e turistike të Thethit, veçanërisht gjatë dimrit. Ndërsa në profilin e bujtinës së tij në Booking.com, ka mjaft komente pozitive të turistëve të huaj që e kishin vizituar.

Të arrestuarit në Itali

Ferdinand Polia – 24 vjeç

Elvis Guri – 26 vjeç

Roland Kibja – 22 vjeç

Drilon Geci – 29 vjeç

Artan Gega – 27 vjeç

Vladimir Progni – 23 vjeç

Eduart Saraçi – 26 vjeç

Ermir Demiri – 25 vjeç

Vijojnë atentatet mafioze në Shkodër, 8 të vrarë në 9 muaj

Shkodra vijon që të tronditet nga vrasjet. E ndërsa në 6 muajt e dytë të vitit të kaluar nga qershori deri në fundit të vitit u vranë 7 persona me atentate mafioze dhe shpërthime eksplozivi si pasojë e përplasjeve mes bandave dhe prishjes së pazareve të drogës, edhe për 2019 vijojnë ngjarjet e rënda, pasi dje është ekzekutuar pronari i një bujtine, Ferdinand Polia. Nga viti i kaluar dy persona të zhdukur ende nuk janë gjetur, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë që brenda javës kjo është vrasja e tretë në vend, pasi në fundjavë u ekzekutua te Liqeni Artificial në Tiranë Haxhi Baçinozi, Jurgen Kurtit para tre ditësh po në kryeqytet dhe Ferdinand Polisë dje në Shkodër.

Skeda e vrasjeve ne Shkoder

Vrasjet për vitin 2018

Në 18 qershor u vra Mehdi Kavaja

Në 15 korrik u vranë Boran Bërcana dhe Silvi Ndoci

Në 10 gusht u vra Fatbardh Lici

Në 23 gusht u zhduk Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa

Në 27 gusht u vra Prendush Fusha

Në 1 shtator u vra Arjan Ferracaku

Në 14 nëntor u vra Fatos Ferracaku

Kategori të tjera