Skenari i frikshëm i tifozëve të Tiranës /Hapën gropa me fishekzjarre në tribunë

30 Shtator 2019, 14:58

TIRANË-  Një skenar i 'frikshëm' ishte organizuar nga tifo-grupi i Tiranës, Capital Crew kundër tifozëve kundërshtarë, të Partizanit, në ndeshjen e së dielës në 'Selman Stërmasi' i cili fatmirësisht nuk është finalizuar.

Mësohet se "Capital Crew", i cili njihet si grupim më i dhunshëm i tifozëve bardheblu, kishte hapur tre gropa të mbushura me një sasi lënde piroteknike me ndezje elektrike me qëllim që godisnin tifozët e Partizanit në tribunën përballë. Por një gjë e tillë fatmirësisht nuk ndodhi, për shkak se një polic e ka zbuluar rastësisht, i cili teksa ishte duke ecur ishte penguar tek fitili duke zbuluar të gjithë planin. Për këtë, dy persona janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë, sa i përket dhunës në stadium, pak para nisjes së ndeshjes, uniformat blu kanë arrestuar një tifoz, Elton Bande, 29-vjeç e ndërsa janë vënë në hetim 6 të tjerë. 29-vjeçari ka qenë në arrest shtëpie, por ai e ka thyer për të qenë i pranishëm në stadium. 

Panorama e djeshme në stadiumin "Selman Stërmasi", në nisje të derbit kryeqytetas Tirana-Partizani, ishte shumë larg një pamjeje sportive. Nisi me sherr mes dy tifozerive, ku pati persona të plagosur dhe për të vijuar më pas me koret fyese dhe për më tepër banderolën e frikshme po nga ky grupim ku bardheblutë "varin" të kuqtë në litar...Dhe në fund pati një fitues; Partizani mundi Tiranë me rezultatin 2-1.

Mbi tifozët e proceduar rëndon akuza për veprat penale për veprat penale për “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive” “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”,  “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.