Skrapar/ Bllokimi i buxhetit të bashkisë, banorët në protestë

6 Mars 2019, 13:47

Banorët e Bashkisë së Skraparit se bashku me kryetarin e saj, Nesim Spahiu kanë dalë ditën e sotme në protestë në sheshin përpara Zyrës së Thesarit në këtë qytet. Ata protestojnë kundër bllokimit të buxhetit i cili vazhdon të mbajë peng institucionet kryesore të Skraparit, mes të cilave edhe kopshtet dhe shkollat.

Nga ana tjetër, ish-deputetja e LSI-së në këtë qark, Silva Caka ka akuzuar ministrin Blendi Klosi se në Qarkun e Beratit mbahet në punë si drejtues i zonave të mbrojtura në Skrapar një individ me diplomë të falsifikuar i cili po mban peng buxhetin.

Sipas kryetarit të Bashkisë Skrapar, buxheti u bllokua më 14 dhjetor gjatë një mbledhje në këshillin bashkiak Skrapar duke sjellë paralizim të funksionalizimit të administratës dhe institucioneve publike. 

Pas kësaj deklarate erdhi edhe reagimi i grupit të këshilltarëve socialistë të Bashkisë së Skraparit.

Sipas tyre buxheti u miratua me 10 vota nga 15 anëtarë që përbëjnë këshillin, por vendimet pasi u zbardhën nga Sekretaria e Këshillit, u firmosën nga Kryetari i Këshillit dhe nuk u vulosën nga Kryetari i Bashkisë i zgjedhur nga LSI.

Më herët Kryetari i Bashkisë i ka nisur letër ndërkombëtarëve dhe kryeministrit Edi Rama ku i paraqet shqetësimin për bllokimin e buxhetit.

    No videos found.