Skuadër me 5 anëtarë në vrasjen e Gjyriçit në Tropojë! Një qitës dhe 13 plumba pas shpine mbi tregta

16 Janar 2020, 12:57

Janë tre video të sekuestruara nga prokuroria e Tropojës, të cilat kanë fiksuar qartë momentin kur 5 persona në dy automjete, janë afruar dhe kanë qëlluar rreth 13 plumba mbi biznesmenin Guxim Gjyriçi, ngjarje kjo e ndodhur më 5 Janar të këtij viti. Tashmë këto tre video janë në analizim e sipër nga specialistët e filmimeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Tiranë, ku po punohet për qartësimin e filmimit. Kamerat e instaluara në disa biznese në Tropojë, por edhe një kamera që ndodhet në ambientet e karburantit që menaxhohej nga viktima, ka fiksuar momentin kur afrohen autorët dhe qëllojnë në drejtim të Guxim Gjyriçit. Filmimet tregojnë se autori i është afruar dhe më pas e ka qëlluar rreth 13 herë me pistoletë dhe më pas është larguar me vrap, duke hyrë në një autoveturë të zezë. Qitësi nuk ka qenë i vetëm, pasi prokurorët e Tropojës dyshojnë se në këtë vrasje kanë marrë pjesë 5 persona, me role të ndara nga njëri-tjetri, të cilët fillimisht e kanë survejuar viktimën dhe më pas kanë vepruar sapo Gjyriçi ka dalë jashtë ambienteve të karburantit. Në këtë moment është futur në veprim qitësi, i cili ka shfrytëzuar praninë e disa makinave të parkuara aty afër, duke i përdorur ato si mburoja për t'u fshehur dhe më pas është shfaqur shumë afër viktimës dhe nga pas Guxim Gjyriçit, duke e qëlluar disa herë me pistoletë pas shpine. Pas vrasjes autori ka nxituar të hipë në një makinë.

Në një video tjetër të sekuestruar nga prokuroria, duket qartë se një makinë ngjyrë e zezë, largohet me shpejtësi nga dalja e qytetit të Tropojës. Pas saj një makinë tjetër e bardhë, thonë burimet pranë prokurorisë Tropojë, e ndjek me shpejtësi. Të dyja makinat kanë marrë drejtimin për në Has, ku dhe siç është konstatuar një ditë pas ngjarjes, njëra prej makinave është djegur plotësisht.