Nëse ditën e sotme, 13 shtator, do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, Partia Socialiste do të korrte sërish fitore të padiskutueshme. 36.3% e qytetarëve, sipas sondazhit të Report Tv, do të votonin për t’i dhënë kryeministrit Edi Rama një tjetër mandat në krye të qeverisë, përkthyer në shifra 740 mijë qytetarë do të votonin për Partinë Socialiste.
Ajo çfarë tërheq vëmendjen është shifra e atyre që nuk do të votonin nëse sot do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. 30.1 % ose 615 mijë qytetarë nuk do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin sot më 13 shtator.
Rithemelimi i Sali Berishës do dilte forcë e dytë duke marrë 21.6% të votave ose 440 mijë vota.
Ndërsa partitë e tjera, duke nisur nga PD zyrtare e Bashës, PL e Metës por dhe partitë e tjera nuk kalojnë as pragun 5%. Konkretisht 100 mijë qytetarë ose 4.9% do të votëbesonin Lulzim Bashën për kryeministër, ndërsa Partia e Lirisë do të merrte vetëm 75 mijë vota ose 3.4% të votave. 70 mijë qytetarë do të votonin për partitë e tjera të vogla.