Sot 16 vite nga masakra e Gërdecit, 26 persona humbën jetën! Familjarët kërkojnë drejtësi

15 Mars, 11:29 | Përditesimi i fundit: 2024-03-15 14:26:22

Ditën e sotme shënohen 16 vite nga masakra e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.  28 të pandehurit e dërguar në gjykatë sot janë të liruar nga burgu dhe ende nuk është vënë drejtësi.

Por familjarët e viktimave kanë ende shpresën se drejtësia e re do të çojë pas hekurave përgjegjësit e një prej tragjedive më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në vendin tonë. Ka dritë në fund të tunelit për këto familjarë të cilëve ajo tragjedi u mori të dashurit e tyre. 

Aktualisht në GJKKO zhvillohet procesi kundër ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i akuzuar për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Të njejtat akuza që u ngritën ndaj tij në vitin 2009 edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por për të cilat zoti Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi në verën e atij viti rifitoi mandatin e deputetit. Procesi ndaj Mediut mori shkas nga një kallzim i familjes Durda e cila humbi në atë kohë djalin nga shpërthimi.