Sot afati i fundit për t’u regjistruar në KQZ! Aleatët e Bashës mbërrijnë në selinë e PD

24 Shkurt 2021, 12:31 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 10:51:49

TIRANË- Nën siglën, 'Shqipëria fiton', kreu i PD-së Lulzim Basha ka kristalizuar marrëveshjen me aleatët e tij për të shkuar së bashku në një koalicion në zgjedhjet e 25 prillit. Pjesë e këtij koalicioni, do të jetë PR e Fatmir Mediut, aleati më i vështirë për t'u bindur, PAA e Agron Dukës, PDK e Nard Ndokës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU e Shpëtim Idrizit. Surprizë ishte bashkimi me FRD-në, parti kjo e themeluar nga ish- presidenti Bamir Topi, sot e drejtuar nga Sali Shehu. Nga ana tjetër, LSI do të garojë e vetme në zgjedhjet e 25 prillit. Report Tv bën me dije se fillimisht u diskutua që LSI-PD do të dilnin së bashku në një listë të përbashkët në disa zona, por ky propozim u hodh poshtë. Një mënyrë e tillë, pra të dalurit me 2 lista të veçanta, sipas Bashës dhe Kryemadhit është bërë me qëllim maksimalizimin e votave për të rrëzuar qeverinë e e Edi Rama.