Sot mbledhja e radhës e Komisionit e Hetimor të 25 prillit, PD: Socialistët e bojkotuan, por s’na pengojnë për të faktuar vjedhjen e zgjedhjeve! PS: Nuk ishim njoftuar

20 Tetor 2021, 18:41

TIRANË- Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor të zgjedhjeve ka përplasur sërish Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, pasi nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm për ta zhvilluar atë. Për këtë debat, palët kanë pretendime të ndryshme, ku sipas kryetarit të Komisionit, Enkeled Alibeaj, socialistët e kanë bojkotuar mbledhjen pasi nuk duan të dalë e vërteta për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

Mirëpo, përmes një reagimi, Partia Socialiste ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se nuk u paraqitën në mbledhje pasi nuk ishin njoftuar 24 orë përpara nga kryetari. Sipas nënkryetarit të Komisionit, Toni Gogu, në mbledhjen e kaluar që u zhvillua dy ditë më parë nuk u votua që Komisioni të mblidhej ditën e sotme, por PS kishte propozuar për mbledhje ditën e enjte.