Spahiu: Kosova duhet t’ja lajë borxhin Amerikës, duke votuar ç’ka duan ata politikisht, jo territorialisht!

4 Shkurt, 22:04

Juristi Kreshnik Spahiu u shpreh sot në emisionin “Repolitix” se Kosova ia ka borxh Amerikës votimin politik për ta larguar njeriun që krijoi armiqësi me SHBA-të këto vite.

Sipas tij, duket qartë se Uashingtoni nuk e do Albin Kurtin dhe për faktin se Kosova ekziston si shtet vetëm pse vendosi SHBA, lë të kuptohet se populli kosovar ua ka një borxh politik, sepse atë ekonomik nuk e jep dot dhe as mund ta japë.

Spahiu mendon se Trump ka ardhur për politike në rend të ri botëror dhe për rajonin do ngarkojë emisarë dhe ambasadorë fuqiplotë, si rasti Grenell, por do lëjë pika të qarta për zgjidhje dhe tashmë e ka lënë qartë me deklaratën e fundit se Albin Kurti ka pasur qasje antiamerikane.

“Ardhja e Trump në pushtet jo vetëm që ndikon në Shqipëri, Kosovë, rajon, por edhe në rendin botëror. Ai ka ardhur si doktrinë që do shkaktojë apokalips në politikën botërore. Pasi ai erdhi në pushtet Gjermania shkoi në zgjedhje, ra qeveria, Kanadaja po ashtu. Por është e vështirë që shqiptarët e Kosovës ta kuptojnë këtë gjë se mendojnë që boshti i tokës është në Prishtinë. Kosova dhe Shqipëria do jenë në bllokun e emisarëve specialë dhe ambasadorëve fuqiplotë. Kosova dhe Shqipëria s’mund të jenë në paradhomën e Trump se ai ka ardhur për gjeopolitikë ndërkombëtare”, tha juristi.