SPAK në terren edhe më 25 prill, monitorim në të 12 qarqet për të shmangur krimet zgjedhore!

20 Prill 2021, 15:47

Sektori i hetimit të krimeve zgjedhore në SPAK do të jetë në terren ditën e zgjedhjeve. Report Tv mëson se gjatë 25 prillit, në ditën e zgjedhjeve parlamentare do të jetë në gatishmëri në të12 qarqet e vendit nëse do të shfaqen probleme që klasifikohen si krime zgjedhore.

SPAK është përgjegjës për hetimin e krimeve zgjedhore në të 12 qarqet e vendit për korrupsion aktiv dhe pasiv në procesin zgjedhor.

Hetuesit e SPAK në bashkëpunim me prokurorit e rretheve do të bëjnë vlerësimin nëse  gjatë zgjedhjeve do të kryhen vepra penale që përfshinë si krime zgjedhore dhe janë në kompetencën e tyre.

Policia e Shtetit do të jetë gjithashtu në gatishmëri duke marrë në ruajtje objektet ku janë vendosur komisionet zonale zgjedhore, materialet e votimit dhe qendrat e numërimit të votave gjatë 25 prillit.

Report Tv mëson se do të jenë afër 8 mijë punonjës policie që do të angazhohen për siguri e rend përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe deri në certifikimin e rezultatit sipas ecurisë së procesit të numërimit. Trupës policore nuk i lejohet të afrohet në një distancë prej 150 m largësi nga ambientet zgjedhore me përjashtim kur ndërhyrja e saj kërkohet nga administrata e zgjedhjeve.