SPAK nis zyrtarisht punën, drejtuesi: Koha e llafeve mbaroi, tani fillon puna

20 Dhjetor 2019, 09:58 | Përditesimi i fundit: 2019-12-20 13:51:47

TIRANE-Sot nisi punën zyrtarisht Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK te ish-godina e Krimeve të Rënda, ndërsa u prezantua drejtuesi Arben Kraja. Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se ky është një moment historik, teksa më në fund Shqipëria ka strukturën e SPAK-ut. Ai theksoi se pritshmëritë janë të larta. "SPAK është një akronim që tashmë edhe fëmijët e kanë mësuar.

Shpresoj që të japin rezultatet që ne presim. Ky është një moment historik për ne. Prokurorët fillojnë sot detyrën me zotin Kraja në krye. Fillim viti do të jetë intensiv për të gjithë ne në frontet e punës. Zotin e shtëpisë këtu e bën zoti Kraja, unë dhe gjithë të tjerët nga hera tjetër do të jemi të ftuar. KLP do të jetë mbështetje e vijueshme për SPAK-un" tha ai.

Arben Kraja ishte fjalëpak. Ai u shpreh se koha e llafeve ka përfunduar dhe tani fillon puna. "Kemi shumë punë për të bërë, nuk dua ta zgjas. Falenderoj KLP-në për procesin transparent. I falenderoj edhe ata që votuan për mua edhe ata që votuan për të tjerët.

Bashkë me Dumanin dhe Kondilin do të bëjmë një skuadër të fortë. Koha është për punë, jo për llafe. Kemi shumë punë për të bërë" deklaroi ai. Tetë prokurorët;  Altin Dumani, Arben Kraja, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Behar Dibra, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi u betuan dje para kreut të shtetit në Presidencë. Më pas, KLP-ja zgjodhi drejtuesin për tre vitet e ardhshme, që do të jetë Arben Kraja. Në fokus të kësaj prokurorie do të jetë korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe krimi i organizuar.