Stërvitja 'Defender Europë 21', avionë e anije luftarake në Shqipëri! Report Tv zbardh planin

28 Shkurt 2021, 13:10

Aeroporti i Rinasit dhe Porti i Durrësit do të jenë pjesë e planit stërvitor ushtarak ‘’Defender Europe 21’’, ndërsa pritet që në këtë stërvitje të testohet edhe baza ajrore ushtarake në Kuçovë.

Report Tv ka siguruar dokumentin ku është i detajuar plani stërvitor nën komandën amerikane pjesë e së cilës do të jenë 3100 trupa të NATO-s dhe 960 ushtarë shqiptarë.

Kjo stërvitje është e ndarë në tre faza të koduara ‘Astral Knight’ prej datës 13 maj deri më 21 maj. Faza e dytë e koduar 'Saber Guardian' prej datave 16 maj deri më 10 qershor si dhe 'Immediate Response' prej datës 17 maj deri më 2 qershor 2021.

Përgatitja e terrenit për kryerjen e kësaj stërvitje më të madhe në territorin shqiptar dhe për herë të parë nga anëtarësimi në NATO i vendit tonë para 12 viteve do të nisë që në muajin prill 2021.

Për herë të parë mbi qiejt dhe ujërat territoriale shqiptare që nga lufta e Kosovës do të patrullojnë avionë e anije luftarake, ku pjesë e planit janë:

12 helikopterë shumërolësh, 6 sisteme raketash patriot, 1000 automjete mbështetëse për forcat ushtarkake, 10 mjete detare përfshirë edhe anije luftarake, avionë transporti dhe personel mallrash.

Flota ajrore ushtarake në këtë stërvitje zë një vend të veçantë ku në Rinas do të zbarkojnë: 10 avionë luftarakë F15, 2 avion F16, 2 avion F35, 3 avion KC-135, 7 helikopterë patrullim shpëtimi dhe një avion patrullimi.