Në momentin kur kryeministri Edi Rama po zhvillonte komunikimin 'live' në Facebook (Lexo këtu), te protesta përpara Ministrisë së Arsimit është vendosur një ekran, por ai është hequr nga studentët. Ata e kanë ndjekur fjalimin e kryeministrit përmes rrjeteve sociale. Edhe pse kryeministri Edi Rama tejkaloi kërkesat e tyre duke vendosur subvencionimin 100% të tarifës për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, modernizimin e konvikteve, shkarkimin e bordit të administrimit të universiteteve apo dhe punësimin e studentëve të shkëlqyer pa konkurse në administratë, sërish studentët kanë refuzuar thirrjen për dialog.
Ata kanë qenë të prerë në përgjigjen e tyre se nuk do të ketë dialog, pasi kërkesat e tyre janë të panegociueshme. Ata janë shprehur se nuk do të ngrejnë përfaqësi nga radhët e tyre për të dialoguar me kryeministrin. Nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit studentët i kanë kërkuar kryeministrit përmbushjen e të gjitha pikave të tyre, pa qenë nevoja për negociata apo dialog.