Sugjeroi dhëniën e nënshtetësisë për dy indianët në kërkim, Klosi pa përgjigje për gazetarët

23 Mars 2019, 10:47

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i është shmangur interesit të gazetarëve lidhur me sugjerimin ndaj presidentit për dhënien e shtetësisë të dy vëllezërve indianë, investitorë në Shqipëri, të cilët  janë në kërkim nga India për pastrim të parave, me dyshime të forta se fshihen ende në vendin tonë.

I pyetur nga gazetarja e Report Tv Esiona Konomi, teksa merrte pjesë sot në Kongresin e Partisë Socialiste, Klosi tha se do të ketë në vijim një përgjigje për nënshtetësinë e indianëve, mbi çkushte u bë propozimi, për çfarë investimesh dhe nëse janë bërë verifikimet e nevojshme.

"Do të kemi patjetër një përgjigje për të gjithë ju. Do t'jua a japim përgjigjet", tha Klosi.

Ishte presidenti Ilir Meta, i cili dje në një komunikatë zyrtare sqaroi përse në shkurt të vitti 2018 i dha nënështetësinë shqiptare dy vëllezërve Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara . Meta tha se janë zbatuar të gjitha procedurat dhe shtetësia për dy indianët është dhënë me propozim të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit.

"Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit  9  të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”. Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare" thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë që në Shqipëri është arrestuar, kunati i dy vëllezërve indianë të cilët janë në kërkim ndërkombëtar për pastrim të parave në vlerën 725 mln dollarë. Hitesh Patel, 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri, u arrestua dy ditë më parë nga shërbimet e policisë në Rinas në tentativë për tu larguar nga Shqipëria, me qëllim ekstradimin drejt Indisë. Për sa u përket vëllezërve Sandesara, njëri prej tyre, Nitin Sandesara rezulton të jetë Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri.