Sulmoi punonjësit e IKMT-së/ 'Arrest shtëpie' për 55-vjeçarin! Balliu: Qeveria po krijon përplasje

10 Nëntor 2019, 13:55 | Përditesimi i fundit: 2019-11-10 15:19:08

TIRANE- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë 'arrest shtëpie' për 55-vjeçarin Shpëtim Selimi i i cili akuzohet se goditi me sende të forta 4 punonjës të IKMT-së dhe shefin e Specialistëve Policimit në Zonë Qani Lami.

Sipas policisë, paraditen e 7 nëntorit në rrugën “Teodor Keko” në Tiranë, rreth orës 10:45 ky person persona në bashkëpunim me disa të tjerë ka goditur me gurë e sende të forta punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë, të cilët ishin duke bërë njoftimin e bizneseve që preken nga projekti i rrugës.

Jashtë dyerve të gjykatës, ish-deputeti i PD Klevis Balliu u shpreh se qeveria po përdor punonjësit për t'u konfliktuar me qytetarët. Ai tha se duhet zgjidhur rruga e dialogut me banorët e ndërsa hodhi akuza se qeveria po vazhdon vjedhjen me dhunë ndaj qytetarëve.

"Punonjësit e IKMT kanë thënë se nuk duan të përplasen me banorët por kanë urdhër për këtë gjë. Projekti për Unazën e Re është nën hetim. Qeveria vazhdon me vjedhjen dhe me dhunën ndaj qytetarëve. Nuk kanë pse të përplasen qytetarët me punonjësit. Unë nuk parashikoj se çfarë do të ndodhë. Por duhet të zgjidhet rruga e dialogut.

Pallatet e zonës së Astirit kanë qenë të palegalizuara por nuk ka pasur përplasje sepse PD ka zgjedhur rrugën e dialogut. Vendime të tilla është njësoj si t'i thuash ti do rrish aty ku të shembet shtëpia, të vdesësh brenda. Kjo po i ndodh çdo qytetari. Duhet t'i rikthehet pushteti sovranit që qeveria të mos shpërblejë banditë. Unë iu ftoj të vini tek Unaza. Unë i bëj thirrje çdo institucioni të mos vazhdojë me pallavra", u shpreh Balliu.