Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti në fillim të seancës plenare shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e integrimit europian, duke kërkuar sërish zhvillimin e një debati parlamentar të plotë dhe të hapur mbi këtë çështje.
Në fjalën e saj për procedurë, Tabaku theksoi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian nuk mund të trajtohet si një proces teknik i mbyllur, por si një proces thellësisht politik dhe me interes kombëtar, ku qytetarët duhet të informohen dhe të përfshihen. Ajo vuri në dukje se, ndryshe nga praktikat e vendeve të tjera të rajonit, si Serbia, ku pozicionet negociuese publikohen dhe diskutohen, në Shqipëri mungon çdo informacion për publikun dhe për vetë deputetët. Tabaku tha se opozita është e përjashtuar nga ky proces.


















