Tahiri sot para mediave: Do rrëfej të vërtetën time, deri në këtë stacion të parë

21 Shtator 2019, 11:38 | Përditesimi i fundit: 2019-09-21 21:34:42

TIRANË- Ditën e sotme në orën 11:30, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pritet të flasë lidhur me vendimin e gjykatës së Krimeve të Rënda, të dhënë dy ditë më parë. Ish-ministri deklaratën e tij e lajmëroi një ditë më parë me anë të një statusi në rrjetet sociale ku sipas tij do të shpjegojë  të vërtetën e historisë në këndvështrimin e tij, teksa ka paralajmëruar se çështja nuk do të mbyllet këtu.

"Nesër në 11:30 shihemi "live" këtu, për të shpjeguar të vërtetën time, deri në këtë stacion të parë", shkruante  Tahiri ditën e djeshme. Gjykata shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur fajtor vetëm për një akuzë të re të ngritur prej saj, për shpërdorim detyre. Kështu, Tahiri u dënua për këtë vepër me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim Gjykata e konvertoi në shërbim prove 3 vite me kusht për të mos kryer vepër tjetër penale brenda kësaj periudhe. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg.