Tashmë radha e Metës/ KED i çon Presidencës dy emrat për anëtarin e 6 të Gjykatës Kushtetuese!

23 Dhjetor 2020, 17:28

Tashmë rruga është e hapur për bërjen më në fund funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka bërë renditjen e kandidatëve të lejuar, Aleksandër Toma dhe  Përparim Kalo për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme,e shpallur nga Presidenti i Republikës.

"KED do t'i përcjellë këto akte brenda ditës së sotme, pranë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë", thuhet në njoftim.

Tashmë do t'i takojë Presidentit Ilir Meta të ndërmarrë hapin e fundit që vendi të ketë sa më parë Gjykatën Kushtetuese e cila prej gati 3 vitesh është jashtë funksionit. 

Kujtojmë se dje është betuar Altin Binaj, anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese, i cili u zgjodh nga Kuvendi seancën e së enjtes së kaluar. Me betimin në Presidencë Binaj merr kështu zyrtarisht detyrën e gjyqtarit në Kushtetuese. Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Avokatja e Popullit etj. Marrja zyrtarisht e detyrës nga Binaj u përshëndet edhe nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, të cilët thanë se bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese deri më 31 dhjetor 2020 është brenda mundësive.

Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 5 anëtarë: Altin Binaj, Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.