Është betuar sot Altin Binaj, anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese, i cili u zgjodh nga Kuvendi seancën e së enjtes së kaluar. Me betimin në Presidencë Binaj merr kështu zyrtarisht detyrën e gjyqtarit në Kushtetuese. Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Avokatja e Popullit etj. Marrja zyrtarisht e detyrës nga Binaj u përshëndet edhe nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, të cilët thanë se bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese deri më 31 dhjetor 2020 është brenda mundësive.

Ndërkohë që sot pasdite Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo dhe ditën e nesërme i dërgon listën përfundimtare të renditjes Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Po nesër KED vendos edhe për Zhaklina Peton, e cila u rikthye në garën për Gjykatën Kushtetuese pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë votoi në seancën e 17 dhjetorit me 96 vota pro, Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë! Me votimin e Binajt, Gjykata Kushtetuese u bë me 5 anëtarë, bashkë me Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.

Ndërkohë që ditën e sotme pritet të mblidhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe të diskutojë dhe më pas të dërgojë emrat në Presidencë për plotësimin e vakancës së gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Përmes një njoftimi dje KED bëri me dije se do të intervistohen kandidatët Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo. Me këtë zhvillim bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese brenda shihet si një arritje shumë e mundshme nëse Presidenti miraton një prej kandidatëve që i shkojnë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Kujtojmë se vendimarrja në Gjykatën Kushtetuese bëhet me një kuorum prej 6 anëtarësh

Kushtetuesja duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, e cila edhe ajo nuk është funksionale.

1608641339_BINAJ2.jpeg

1608641351_BINAJ4.jpeg

Altin Binaj dhe Ilir Meta

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:16
Betimi i anëtarit të 5-të të Gjykatës Kushtetuese, Soreca: Funksionaliteti brenda mundësive, KED të finalizojë pa vonesa listat për Presidentin

Betimi i Altin Binaj si anëtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese është përshëndetur edhe nga Ambasadori i BE, Luigi Soreca.

Soreca shkruan se bërja funksionale Gjykatës Kushtetuese deri në fund të vitit, është më se e mundur, ndërsa i bën thirrje KED të finalizojë pa vonesa listat për Presidentin për të zgjedhur anëtarët e 6-të që do të vërë në punë 'Kushtetuesen'. Soreca thekson se funksionaliteti i 'Kushtetueses'  është kusht për fillimin e tryezës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e BE për integrimin.

"Sot Altin Binaj është betuar nga Presidenti Ilir Meta, anëtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese. Ne e përgëzojmë dhe i urojmë punë të mbarë. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës tani është brenda mundësive, falë përpjekjeve të kombinuara të të gjitha institucioneve. Tani i takon KED-së të finalizojë pa vonesë listat për Anëtarët e tjerë që do të emërohen nga Presidenti. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës është një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për fillimin e tryezës së parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE", shkruan Soreca.

Ora 17:51
Anëtari i 6 i Kushtetuese/ KED lejon kandidimin e Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos, çon nesër Presidentit renditjen

Këshilli i Emërimeve në mbledhjen e sotme mori në intervistë dy kandidatët për anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, vakancë e Presidentit të Republikës. Në mbledhje merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit. 

Kandidatët Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo janë paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e tyre në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese. Pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve, KED miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve dhe ditën e nesërme i dërgon listën përfundimtare të renditjes Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Ora 16:19
Betimi i Altin Binaj, Yuri Kim: Bërja funksionale deri më fund të vitit e Gjykatës Kushtetuese, brenda mundësive

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka përshëndetur betimin e anëtarit të 5-të të Gjykatës Kushtetuese para Presidentit duke marrë kështu zyrtarisht detyrën e tij. Kim shkruan në twitter se ky është një zhvillim mjaft pozitive dhe se bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti është plotësisht e arritshme, falë dhe bashkëpunimit mes Presidencës, KED dhe Parlamentit.

"Urime Altin Binaj për betimin e tij si gjyqtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese. Faleminderit Presidentit Ilir Meta për mundësimin e këtij zhvillimi pozitiv. Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale deri më 31 dhjetor është brenda mundësive, falë veprimit dhe bashkëpunimit urgjent nga Presidenca, KED dhe Parlamentit", shkruan Kim.