Të dielën katër ndeshje të Superligës, Ahmataj me Tiranën debuton ndaj skuadrës që e shkarkoi

26 Tetor 2019, 14:14

Me përjashtim të sfidës Partizani-Kukësi që luhet të hënën, të dielën do të jenë katër sfida të vlefshme për javën e dhjetë të Superligës. Në Gjirokastër do të debutojë në krye të Tiranës trajneri Julian Ahmataj, që për koicidencë sezonin e kaluar u largua nga drejtuesit gjirokastrit me motivin se kishte toleruar në favor të bardhebluve. Pas largimit të Memës pritet me interes si formacioni që do të hidhet në fushë ashtu edhe rezultati i takimit. 24 herë kampionët e vendit vijnë pas disfatës me Bylisin.

Ndërkohë Vllaznia do të luajë në transfertën e Laçit një sfidë mjaft delikate. Shkodranët gjenden në vendin e tretë dhe në ndeshjen e fundin fituan ndaj Flamurtarit, por këtë herë duhet të bëjnë pa futbollistët Hygor dhe Gligorov.

Mirsad Jonuz: “Me Laçin do të jetë një ndeshje e vështirë sepse të dy skuadrave I duhen pikët. Nuk kemi diferenca me ta, por pas ndërrimit të trajnerit Laçi po rritet nga ndeshja në ndeshje. Lojtarët tanë duhet të japin maksimumin pasi ekipi kundërshtar ka mjaft lojtarë me mjaft kualitete dhe këtë e treguan edhe në pjesmarrjen në Europa League.”

Me shumë interes pritet edhe sfida mes Bylist dhe Teutës, dy ekipe që renditen respektivisht në vendin e dytë dhe të katërt. Ndeshja e fundit e ditës së dielë, që luhet në orën 16:00, do të jetë ajo mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Vlonjatët aktualisht janë pa trajner dhe renditen të fundit me vetëm dy pikë, ndërsa korçarët vijnë pas humbjes me Partizanin.