'Tempulli', Drejtori i policisë ilir Proda: Mes të arrestuarve në Tiranë ka dhe nga Elbasani! Kemi goditur dhe koka të grupit të shpërndarësve

21 Shtator 2023, 08:10

I ftuar në emisionin “Përballje” në Report TV  drejtori i policisë së Elbasanit garantoi se megaoperacioni Tempulli do të vijojë.

“Policia është e përkushtuar dhe operacioni do të vazhdojë. Të garantoj se do të ketë arrestuar të tjerë. Ka goxha të evidentuar. Tempulli është një operacion që do të vijojë.  Ky opeacion do të vijojë dhe e deklaroj me përgjegjësi” tha Drejtori i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda.

Drejtori i Policisë së Elbasanit i ftuar në studion e emisionit “Përballje”në Report Tv zbulon detaje të reja lidhur me megaoperacionin e koduar “Tempulli”. Mësohet se disa prej të arrestuarve në Tiranë janë nga Elbasani.

“Janë të evidentuara lidhje mes shpërndarësve të drogës në qytete. Disa të arrestuar në Tiranë janë me origjinë nga Elbasani apo kanë banuar më parë në këtë qytet apo janë banorë të këtij qyteti. Nuk mund të them më shumë për hir të sekretit hetimor” zbuloi Proda.

Zbulon gjithashtu se janë goditur edhe krerë të këtyre grupeve.

"Me garanci ju them që ato grupe që janë goditur është shkuar edhe deri tek organizatorët e kësaj veprimtarie. Matematikisht është e pamundur që një numër kaq i madh të arrestuarish të mos ketë forma të veçanta të organizimit mes tyre. Nuk  po themi që janë pjesëtarë të një grupi dhe i drejton një kokë por mes tyre ka grupe të vogla që drejtohen nga organizatorë të këtij aktiviteti kriminal. Po flasim për shpërndarjen e drogës, pa hyrë tek pjesa e trafikimit që është temë tjetër” nënvizoi Proda për emisionin ‘Përballje’ në Report Tv.