Tërmeti 5.2 ballë 'shkund' tre fshatra në Korçë, banorët: U tmerruam! S'duam lekë por shtëpi

1 Nëntor 2019, 15:19

KORÇË- Një tërmet 5.2 ballë ka goditur Korçën në orën 05:25 të mëngjesit të sotëm. Sipas Institutit të Gjeoshkencave epiqendra e tërmetit ka qenë në fshatin Miras, 11 km nga Korça me thellësi 25 km. Banorët kanë dalë nga shtëpia për shkak të frikës së një lëkundjeje të dytë.

Raportohet se nga tërmeti janë shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërkohë që banorët e prekur nga tërmeti i qershorit në zonat e Qafëzezës dhe Vidohovës, shtëpitë e të cilëve nuk janë riparuar ende pretendojnë se dëmet janë thelluar. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në qytetet e tjera të vendit.Në fillim të verës që lamë pas, më 1 qershor, një tjetër tërmet i fuqishëm goditi zonën e Korçës, ku u rrënuan mbi 100 banesa. Epiqendra e këtij tërmeti që la jashtë për disa javë banorët, ishte në fshatin Floq dhe u ndje në disa zona përreth. Tërmeti ishte i shkallë rihter, 5.3 ballë, që më pas u shoqërua me të paktën 20 lëkundje nga të cilat 6 ishin më të forta.